Tiranë – Redaksia jonë ka pranuar një numër alarmues denoncimesh nga qytetarë shqiptarë dhe të huaj, të cilët pretendojnë se janë mashtruar nga shtetasja Vahide Salihi, e dyshuar për organizimin e skemave mashtruese të mirëstrukturuara dhe me përmasa ndërkombëtare.
Sipas të dhënave të siguruara nga Qendra Kombëtare e Biznesit (QKB), Vahide Salihi rezulton të ketë të regjistruara disa biznese në emrin e saj, të cilat dyshohet se po përdoren si mbulesë për veprimtari të paligjshme me qëllim përfitimi financiar në dëm të qytetarëve.
Burime të besueshme pohojnë se Salihi operon në bashkëpunim të ngushtë me djalin e një ish-prokurori të larguar nga procesi i vetingut, i cili, për momentin, nuk po identifikohet për arsye hetimore dhe për të ruajtur integritetin e procesit të mbledhjes së informacionit.
Dëmet e shkaktuara sipas denoncimeve paraprake i kalojnë vlerën e 2 milionë eurove, duke përfshirë qytetarë që kanë rënë pre e mashtrimeve të ndryshme përmes investimeve fiktive, transaksioneve të rreme dhe premtimeve për përfitime të shpejta.
Autoritetet përkatëse janë njoftuar për rastin, ndërsa pritet që organet e hetimit të nisin procedurat ligjore për zbardhjen e plotë të skemës dhe identifikimin e të gjithë bashkëpunëtorëve të përfshirë.
Redaksia jonë do të vijojë ndjekjen e kësaj çështjeje dhe do të publikojë informacione të reja sapo të sigurohen detaje shtesë nga burime zyrtare dhe dëshmitarë të përfshirë në rast.
