Ditët e fundit, në jug të Shqipërisë, një takim mes kryeministrit Edi Rama dhe oligarkut Samir Mane ka përfunduar në një skenë që rrallëherë ndodh mes aleatëve të vjetër: një debat i ashpër, fjalë të rënda dhe, në kulmin e tensionit, Rama ka goditur me gotë vere Samir Manen thonë burime të sigurta për portalin Timoni.al
Burime nga qarqet e biznesit dhe qeverisë pohojnë se “sherri” ka shpërthyer për shkak të projektit turistik gjigant në zonën e Darë Zezës në Fier. Mane, një nga njerëzit më të pasur dhe më të lidhur me pushtetin në këto 15 vitet e fundit, kishte ndërtuar planin për ta realizuar këtë projekt me investitorë gjermanë. Rama, në mënyrë të drejtpërdrejtë, i ka kërkuar që në vend të tyre të përfshiheshin investitorë të tjerë “elitë” të afërt me qeverinë – një skemë që jo vetëm i garanton pushtetit kontroll mbi projektin, por edhe shpërblen biznesmenët e preferuar politikisht.
Për publikun, ky incident është thjesht një sherr personal, por në të vërtetë ai shënon një moment të rëndësishëm: krisjen e marrëdhënies mes një kryeministri që ka ndërtuar pushtetin mbi aleancat me oligarkët dhe një prej oligarkëve më besnikë ndaj tij.
Samir Mane është konsideruar prej kohësh një nga përfituesit kryesorë të politikave të qeverisë Rama. Nga dhënia e tokave ekskluzive në bregdet e deri tek favorizimet për ndërtimin e resorteve luksoze, Mane ka qenë simbol i asaj që quhet “kapitali klientelist” në Shqipëri.
Rasti i resortit “Green Coast” në Dhërmi mbetet emblemë: prona që i përkisnin banorëve u transferuan në emër të kompanisë së tij përmes procedurave të dyshimta, ndërsa qeveria mbylli sytë.
Bregdeti si “monedhë shkëmbimi”
Konflikti i Darë Zezës nuk është një rast i izoluar. Ai është pjesë e një “lufte të ftohtë” brenda kampit të oligarkëve për kontrollin e bregdetit shqiptar, tashmë një nga pasuritë më të lakmuara në rajon.
Rama, i cili për vite ka përdorur modelin e shpërblimit të biznesmenëve besnikë me prona dhe leje ndërtimi, po përballet tani me sfidën e menaxhimit të interesave të reja – si investitorët e huaj, të cilët kërkojnë kushte më transparente dhe më pak ndërhyrje politike. Ky ndryshim rrezikon të prishë ekuilibrin e aleancave të tij të brendshme.
Nga gota tek mesazhi politik
Gjestin e goditjes me gotë që Rama i bëri Samir Manes nuk duhet ta shohim thjesht si një shpërthim nervash. Në politikën shqiptare, ku marrëveshjet bëhen dhe prishen në tavolina darkash, një veprim i tillë është një mesazh: kush nuk pranon lojën dhe rregullat e vendosura nga pushteti, përjashtohet nga “rrethi i ngushtë”.
Për Manen, kjo mund të jetë shenja e parë e rënies së tij nga pozita e oligarkut të privilegjuar. Për Ramën, është paralajmërim për të tjerët në radhë – se lojaliteti ndaj tij është më i rëndësishëm se kapitali apo investitorët e huaj.
Ky incident tregon gjithashtu një krizë më të thellë: modeli i qeverisjes Rama, i bazuar mbi lidhjen e ngushtë me disa biznesmen të fuqishëm, po arrin kufijtë e tij. Me kalimin e kohës, oligarkët kërkojnë më shumë pavarësi, ndërsa kryeministri kërkon më shumë kontroll. Përplasjet janë të pashmangshme.
Në këtë kuptim, episodi i Dar Zezës është vetëm fillimi. Aleancat po thyhen, pasuritë po rishpërndahen, dhe bregdeti shqiptar po mbetet skena kryesore ku zhvillohet kjo betejë e heshtur mes pushtetit politik dhe kapitalit privat./Timon
Publikuar nga Publik Media
Theksojmë se ky lajm është marrë nga Portali Timoni si dhe Portali Publik media si burim informacioni dhe nuk kemi prova në lidhje me vërtetësinë e lajmit.