Ish-kryebashkiaku i Kavajës, Elvis Roshi, është marrë zyrtarisht i pandehur nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, me akuzën e shpërdorimit të detyrës, bazuar në nenin 248 të Kodit Penal.
Roshi është thirrur këtë të hënë në organin e akuzës, ku në prani të avokatit të tij Andi Skënderi i është komunikuar marrja zyrtarisht si i pandehur.
Hetimi ndaj tij nisi mbi bazën e një kallëzimi të Këshillit të Lartë të Shtetit, i cili gjatë një auditimi të zhvilluar në vitet 2013-2014, periudhë kur Roshi ishte në krye të bashkisë, evidentoi një sërë parregullsish në sektorin e urbanistikës dhe në procedurat e prokurimit publik.
Sipas raportit të KLSH-së, parregullsitë kanë shkaktuar një dëm ekonomik prej rreth 33 milionë lekësh.
Elvis Roshi është paraqitur disa herë në ambientet e SPAK për t’u marrë në pyetje lidhur me këtë çështje.
Kujtojmë se më herët Gjykata e Durrësit ka pushuar një procedim penal ndaj tij për akuza të ngjashme.
Ndërkohë, vetëm pak javë më parë, ish-kryebashkiakut iu sekuestrua edhe telefoni celular, si pjesë e një tjetër hetimi që SPAK po zhvillon ndaj tij, kësaj here në kuadër të dyshimeve për krime zgjedhore.