Një lajm i hidhur ka mbërritur këtë të martë për politikën shqiptare dhe komunitetin korçar. Është ndarë nga jeta në mënyrë të papritur ish-deputeti i Partisë Socialiste, Niko Faber, si pasojë e një ataku kardiak.
Lajmi është konfirmuar nga miq të afërt dhe bashkëpunëtorë të tij politikë, të cilët janë shprehur të tronditur nga kjo humbje e parakohshme. Faber ishte një figurë e njohur dhe e respektuar jo vetëm në qytetin e tij të lindjes, Korçë, por edhe në të gjithë spektrin politik shqiptar.
Përtej angazhimit në politikën institucionale, Faber ka qenë i pranishëm në jetën shoqërore dhe qytetare si nënkryetar i Federatës së Paqes Universale në Shqipëri – një organizatë ndërkombëtare që promovon paqen, dialogun ndërfetar dhe bashkëjetesën. Kontributi i tij në këtë drejtim ka qenë i vyer dhe shumë i vlerësuar si në nivel kombëtar, ashtu edhe ndërkombëtar.
Kolegë të shumtë, figura publike dhe qytetarë të Korçës kanë shprehur ngushëllimet e tyre për ndarjen nga jeta të Faberit, duke e cilësuar atë si një njeri të qetë, të mençur dhe të përkushtuar, i cili u shërbeu me dinjitet njerëzve dhe vlerave demokratike.