Ish-kryeministri Sali Berisha ka ndarë në rrjetin social Facebook lajmin e hidhur për ndarjen nga jeta të regjisorin të madh shqiptar, Dhimitër Anagnosti.
Në një postim në rrjet, Berisha e cilëson Anagnostin si një figurë të shquar të artit dhe kulturës shqiptare, “kollos i regjisë, filmit dhe skenarit, intelektual i kombit, ish-ministër i aftë dhe dinjitoz, atdhetar, prind, bashkëshort e qytetar shembullor”.
Postimi i plotë i Sali Berishës:
“Homazh për DHIMITËR ANAGNOSTIN
Të dashur miq, familja e nderuar Anagnosti, miqtë e saj, bota e artit, filmit, kulturës janë në zi e dhimbje.
Për Dhimitër Anagnostin, kollos i regjisë, filmit, skenarit, intelektual i shquar i kombit, ish-ministër i aftë dhe dinjitoz, atdhetar, prind, bashkëshort e qytetar shembullor, dielli perëndoi përgjithmonë.
Por Dhimitër Anagnosti do jetojë përgjithmonë në krijimet, veprën, trashëgiminë e tij të ndritur.
Duke shprehur nderimin dhe mirënjohjen time më të thellë për kontributin, veprën e tij të pavdekshme, bashkëpunimin që kemi pasur, shpreh gjithashtu familjes së tij të nderuar, Rozës, fëmijve, miqve, të afërmve ngushëllimet më të ndjera të miat dhe të PD, dhe lutem së bashku me ta që shpirti i madh i Dhimitrit të tyre të dashur të gjejë paqen e merituar.”
