Ish-kryeministri Sali Berisha ka ndarë sot lajmin për ndarjen nga jeta të Werner Daum, ambasadorit të parë gjerman në Shqipëri pas Luftës së Dytë Botërore, të cilin ai e cilëson si “Ambasador i Lirisë” për rolin e tij të pazëvendësueshëm në mbështetjen e lëvizjes demokratike shqiptare në fundin e viteve ’80 dhe fillimin e viteve ’90.
Sipas Berishës, Daum mbylli sytë përgjithmonë në Shqipëri, “në atdheun e tij të dytë”, duke lënë pas një trashëgimi të çmuar miqësie dhe angazhimi për lirinë e popullit shqiptar.
“Ishte një mik i shquar i ditëve më të vështira për Shqipërinë dhe shqiptarët”, shkruan Berisha, duke kujtuar rolin aktiv të ambasadorit gjerman në mbështetjen e protestave antikomuniste dhe sidomos në ngjarjet historike të 2 korrikut 1990, kur mijëra të rinj shqiptarë kërkuan strehë në ambasadën gjermane në Tiranë. Sipas Berishës, ishte pikërisht Daum ai që i hapi dyert dhe i mbështeti ata si “kryengritës të lirisë”.
Pas largimit nga Shqipëria, Daum mbeti gjithmonë një zë pro-shqiptar në skenën akademike dhe diplomatike europiane. Ishte mik i afërt i figurave të mëdha të kulturës shqiptare si Ismail Kadare dhe Martin Camaj dhe kontribuoi në promovimin e historisë, kulturës dhe identitetit shqiptar përmes studimeve dhe ekspozitave në Europë.
Për kontributin e tij të jashtëzakonshëm, ai është nderuar nga Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, me Urdhrin “Naim Frashëri” i Klasit të Parë, si dhe është shpallur Qytetar Nderi i Kavajës më 10 korrik 2025.
Berisha përmend se kishte pasur mundësinë ta takonte për herë të fundit Daumin në Kavajë, vetëm dy ditë para ndarjes së tij nga jeta, gjatë përkujtimit të 35-vjetorit të rënies së Josif Budës, heroit të parë të demokracisë në Shqipëri.
“Biseda e fundit me të, së bashku me kujtimin e veprës së tij të ndritur, do të mbetet përgjithmonë në zemrën time,” përfundon Berisha.