Kryebashkiaku i arrestuar i Tiranës Erion Veliaj është dërguar në Spitalin e Durrësit pas problemeve me tensionin.
Veliaj ka shfaqur probleme shëndetësore mëngjesin e të enjtes, 17 korrik 2025. Mesohet se atij po i kryhet analizat e nevojsme për të konstatuar gjendjen shëndetësore të tij.
Veliaj është shoqëruar nga rreth 30 shoqërues të burgjeve dhe në spital janë zhvendosur disa pacientë në dhoma të tjera për shkaqe sigurie. Pas disa orësh ai është rikthyer në qeli ku do vijojë trajtimin mjekësor, informon gazetari i TV Syri, Fatjon Gjinaj.
Veliaj ndodhet në arrest me burg prej 10 shkurtit 2025 kur u arrestua në zyrën e tij në bashki.
Kryebashkiaku i Tiranës dhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, akuzohen nga SPAK se ndërtuan një skemë komplekse korrupsioni dhe pastrimi parash, për të përfituar në mënyrë të paligjshme nga fondet e bashkisë së kryeqytetit dhe ryshfete nga biznesmenë kontraktorë të saj, duke përdorur një rrjet kompanish dhe organizatash jofitimprurëse.
Sipas SPAK, kryebashkiaku i kryeqytetit dhe bashkëshortja e tij kanë përfituar rreth 1 milionë euro nga kjo skemë korruptive, para që janë përdorur kryesisht për blerje luksoze në internet nga Ajola Xoxa.
Veliaj është në hetim për kryerjen e veprës penale të “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim (9 herë) dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. Bashkëshortja e kryebashkiakut, Ajola Xoxa është lënë në masë sigurimi “detyrim paraqitje”.
Përveç kryebashkiakut dhe bashkëshortes së tij, GJKKO ka vendosur masën “arrest në shtëpi” për biznesmenin Elman Abule dhe masën ‘detyrim paraqitje’ për pesë biznesmenë të tjerë, kompanitë e të cilëve janë përfituese të mëdha të fondeve të bashkisë ose lejeve të ndërtimit në Tiranë.
Edhe pse ndodhet prej tre muajsh në burg, Veliaj vazhdon të mbajë formalisht funksionin e kryebashkiakut, të cilin ia ka deleguar nënkryetares së bashkisë, Anuela Ristani.
Beqaj me infeksion në lëkurë
Ndërkohë prej të shtunës, 12 korrik rezulton i shtruar në Spitalin Universitar ‘Nënë Tereza’ në Tiranë Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj që ndodhet në burg për dosjen e abuzimit me fondet e Bashkimit Europian dhe në gjykim për aferën e koncesionit të sterilizimit. Masën e paraburgimit Beqaj po e kryente në burgun e Durrësit ku ndodhet dhe Veliaj, pasi kishte marrë infeksion të rëndë në lëkurë dhe temeperaturë të lartë.